HETIMI I ILIR METES/ Gerald Gjeogjini thirret në SPAK për lobimin në SHBA

SPAK vijon hetimet ndaj ish-Presidentit Ilir Meta sa i takon çështjes së lobimit në SHBA. Sot është paraqitur në Prokurorinë Speciale, Gerald Gjeogjini, si person që ka dijeni lidhur me lobimin dhe që konsiderohet si lidhje personale e ish-Presidentit.

Sipas TCH, Gjeogjini është thirrur edhe si person i cili ka marrë pjesë në çdo takim zyrtar, darka dhe takime private të ish presidentit.

Ilir Meta është marrë i pandehur nga SPAK për 3 akuza: “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Një nga çështjet për të cilat SPAK ka hetuar Metën është edhe ajo e lobimit në SHBA, për të cilën sipas Prokurorisë Speciale, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk ka deklaruar një shumë prej 463 mijë dollarë.

“Përgjatë periudhës 2016-2017, Ilir Meta. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe  Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të  forcës politike  nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhej në njoftimin zyrtar të SPAK, lidhur me hetimet ndaj ish-Presidentit.