VENDIMI DRASTIK/ Sanksione kundër personave dhe bandave trafikante – Britania miraton masa të rrepta për emigrimin ilegal

Duke filluar nga nesër, çdokush që është i përfshirë në ndihmën për kontrabandimin e njerëzve drejt Mbretërisë së Bashkuar mund të përballet me sanksione.

Në kuadër të një regjimi të ri që ka si objektiv të ardhurat dhe materialet që mundësojnë emigrimin e parregullt, individët e synuar do të përballen me ngrirje të aseteve, përjashtim nga sistemi financiar britanik dhe ndalim udhëtimi drejt MB-së, bëhet me dije në vendimin e qeverisë britanike.

“Çdokush që ndihmon në kontrabandimin e njerëzve drejt MB-së do të rrezikojë ngrirjen e aseteve të tyre dhe ndalimin e udhëtimit drejt Britanisë, sipas kompetencave të reja të shpallura sot nga Ministri i Jashtëm [e martë, 22 korrik]. Nesër [e mërkurë, 23 korrik], FCDO do të vendosë grupin e parë të sanksioneve ndaj bandave të përfshira në kontrabandimin e njerëzve dhe nxitjen e migrimit të parregullt drejt MB-së, si dhe ndaj mundësuesve të tyre, si financuesit dhe kompanitë e përfshira në shitjen e pajisjeve për varka të vogla. Këto plane janë një shembull kryesor i përdorimit të qasjeve novatore të politikës së jashtme nga FCDO për të realizuar “Planin për Ndryshim” për popullin britanik. Ky regjim do të jetë i pari në botë i kushtuar goditjes së kontrabandimit të njerëzve dhe krimit të organizuar të migracionit, ku njerëzit vulnerabël shfrytëzohen nga kriminelët dhe rrjetet e tyre, një nga shtytësit kryesor të migrimit të parregullt drejt MB-së. Migrantët që paguajnë kontrabandistët përballen gjithashtu me rrezikun e lartë të punuarit në kushtet e skllavërisë moderne, kthimit në vendin e origjinës ose humbjes së jetës në det. Sanksionet mund të ndërpresin rrjedhën e parave dhe materialeve, përfshirë ngrirjen e pronave, llogarive bankare dhe aseteve të tjera, që i mundësojnë bandave të organizuara kriminale të lehtësojnë migrimin e parregullt drejt MB-së. Sanksionet janë hartuar për të goditur individë kudo në botë, të cilët do të shpallen publikisht në mënyrë që të jetë e paligjshme për sistemin financiar britanik të bashkëpunojë me ta”, sqarohet në vendim.