Merkatoja e verës në “Camp Nou” mund të ndizet së shpejti, pasi Niko Uilliams ka shprehur dëshirën e qartë për t’iu bashkuar Barcelonës. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur spanjoll Xherard Romero, i cili konfirmon se ylli i Atletik Bilbaos i ka komunikuar verbalisht drejtuesve të klubit katalanas dëshirën për të veshur fanelën e tyre që nga sezoni i ardhshëm.
Ky zhvillim përforcon sinjalet që dolën më herët edhe nga vetë presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili gjatë ditës së mërkurë dha një sinjal për këtë lëvizje.
“Po punojmë për të sjellë një lojtar emocionues që kushton rreth 60 milionë euro dhe që kohët e fundit ka shprehur dëshirën për të ardhur te ne”, tha ai.
Klauzola e lirimit të Uilliams raportohet të jetë mes 58 dhe 60 milionë eurove, një shumë që Barcelona mund ta përballojë, sidomos nëse vendos të bëjë lëvizjen vendimtare në ditët në vijim.
Pas afrimit të portierit Joan Garsia, një tjetër përforcim si Niko Uilliams do ta bënte skuadrën shumë më konkurruese për sezonin 2025-2026. Me shpejtësinë dhe teknikën e tij në krahët e sulmit, Barcelona do të fitonte një element të ri në fazën ofensive.









