Banorët e fshatit Hotolisht në Librazhd protestuan këtë të premte kundër projektit të zgjerimit të rrugës kombëtare Librazhd-Prrenjas, pjesë e Korridorit VIII. Ata e cilësojnë ndërtimin e rrugës si një kërcënim të drejtpërdrejtë për banesat, tokat dhe jetesën e tyre. Me pankarta në duar dhe një arkivol të vendosur simbolikisht në mes të rrugës, banorët shprehën zemërimin ndaj projektit.
Gjatë protestës pati dhe përplasje fizike mes banorëve dhe policisë.
Protestuesit deklaruan se nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por kundërshtojnë mënyrën se si po realizohet ky projekt, duke i përjashtuar ata nga çdo vendimmarrje dhe duke rrezikuar prishjen e pronave të tyre pa kompensim të drejtë.
“Jemi gati të përgjigjemi! Ose ne, ose ju!”, shkruhej në pankartat e banorëve.
“Institucionet po heshtin. Nuk ka asnjë reflektim, asnjë dialog. Jemi të detyruar të reagojmë me mjete simbolike si ky arkivol, që për ne përfaqëson shtëpinë e fundit”, u shpreh një prej përfaqësuesve të protestës. Banorët theksuan se janë të gatshëm të mbrojnë fshatin me çdo mjet ligjor dhe paralajmëruan se situata mund të përshkallëzohet nëse nuk arrihet një marrëveshje e ndershme.
“Ne nuk kërkojmë ndalim të zhvillimit, por kërkojmë drejtësi. Duam që zëri ynë të dëgjohet dhe jeta jonë të mos shkatërrohet në emër të një projekti që na përjashton. Pa dhunë, por me vendosmëri të plotë, do ta mbrojmë tokën tonë. Nesër mund të jetë shumë vonë”, deklaruan banorët.









