Michael Olise mund të jetë një nga emrat më të nxehtë të merkatos së verës. Sipas gazetarit francez Santi Aouna, sulmuesi dëshiron t’i bashkohet Real Madridit, duke e konsideruar klubin spanjoll si destinacionin ideal për hapin e radhës në karrierën e tij.
Sipas raportimit, reprezentuesi francez është i bindur se transferimi në “Santiago Bernabéu” do t’i ofronte mundësinë për të vazhduar zhvillimin në nivelin më të lartë të futbollit europian.
Nga ana tjetër, Real Madridi thuhet se është i gatshëm të bëjë një investim rekord për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit, çka tregon se Olise konsiderohet një nga objektivat kryesorë të klubit në këtë merkato.
Megjithatë, Bayern Munich nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm. Qëndrimi zyrtar i klubit bavarez mbetet se francezi nuk është në shitje, ndërsa drejtuesit po punojnë për t’i zgjatur kontratën.
Sipas Aounas, paralelisht Bayern ka nisur të vlerësojë edhe alternativa në treg, duke kontaktuar futbollistë që mund të zëvendësojnë Olise në rast se ai vendos të largohet.
E ardhmja e sulmuesit pritet të qartësohet pas përfundimit të Kupës së Botës, kur ai do të zhvillojë një takim me drejtuesit e Bayern Munichut. Ky takim mund të jetë vendimtar për fatin e tij, ndërsa Real Madridi mbetet në pritje të zhvillimeve.









