Tensione politike në Itali/ Parlamenti rrëzon reformën zgjedhore – Goditje e fortë para zgjedhjeve për Melonin

Qeveria e kryeministres italiane Giorgia Meloni ka pësuar një tjetër goditje politike, pasi Dhoma e Ulët e Parlamentit rrëzoi një amendament të rëndësishëm të reformës së propozuar zgjedhore.

Në një votim të fshehtë, deputetët italianë hodhën poshtë ndryshimin me një rezultat shumë të ngushtë: 188 vota pro dhe 187 kundër. Sipas raportimeve, disa deputetë të shumicës qeverisëse votuan kundër propozimit të mbështetur nga partia e Melonit, “Vëllezërit e Italisë” (FdI).

Pas humbjes në parlament, Meloni e cilësoi vendimin si një “mundësi të humbur për italianët”. Ajo kritikoi opozitën, e cila festoi rezultatin e votimit, duke deklaruar se rrëzimi i amendamentit i pengon qytetarët të kenë më shumë ndikim në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.

“Fakti që opozita feston sikur të kishte fituar Kupën e Botës, sepse u mohon qytetarëve mundësinë për të zgjedhur deputetët e tyre, thotë gjithçka”, deklaroi Meloni.

Kryeministrja italiane nuk iu përgjigj kërkesave të opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Itali janë planifikuar të zhvillohen në vjeshtën e vitit 2027.

Reforma zgjedhore e propozuar nga qeveria Meloni synonte kalimin drejt një sistemi më proporcional, i shoqëruar me një bonus për partinë ose koalicionin që merr numrin më të madh të votave, edhe në rast se nuk arrin shumicën absolute.

Projektligji parashikonte gjithashtu që koalicionet politike të paraqisnin një program të përbashkët dhe një kandidat të vetëm për postin e kryeministrit.

Amendamenti i rrëzuar lidhej me rikthimin e votës preferenciale, duke u dhënë mundësi qytetarëve të zgjidhnin kandidatë individualë nga listat zgjedhore.

Pavarësisht humbjes së këtij amendamenti, qeveria italiane mund të vijojë punën për pjesët e tjera të reformës zgjedhore.

Meloni ka argumentuar se ndryshimet do të sillnin më shumë stabilitet politik dhe qeveri më të qëndrueshme në Itali. Ndërsa partitë opozitare e kanë kundërshtuar reformën, duke e cilësuar si një përpjekje për të favorizuar shumicën aktuale në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo është goditja e dytë e madhe politike për qeverinë Meloni brenda një periudhe të shkurtër, pas humbjes së referendumit të mbështetur nga mazhoranca për reformën kushtetuese.

Ndërkohë, opozita italiane e qendrës së majtë dhe e majta po përgatiten për të krijuar një front të përbashkët kundër Melonit në zgjedhjet e ardhshme.

Pavarësisht krizave të fundit, Meloni mbetet në krye të qeverisë që prej vitit 2022 dhe, nëse arrin të përfundojë mandatin, mund të bëhet kryeministrja e parë italiane që nga viti 1946 që qeveris një mandat të plotë me të njëjtën qeveri.