Polemika për gjyqtarin e gjysmëfinales Angli–Argjentinë – ish-arbitri kritikon FIFA-n

Emërimi i Ismail Elfatit për të drejtuar gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Anglisë dhe Argjentinës ka ngjallur polemika, me ish-gjyqtarin e Premier League, Mark Halsey, që ka shprehur habinë për vendimin e FIFA-s.

Sipas Halsey, një sfidë e këtij niveli duhej t’i besohej një arbitri me më shumë eksperiencë në ndeshjet më të mëdha të futbollit europian.

“Për një ndeshje të kësaj rëndësie do të preferoja një gjyqtar me më shumë përvojë, dikë që arbitron rregullisht ndeshje të Ligës së Kampionëve ose Ligës së Europës”, u shpreh ai.

Megjithatë, ish-arbitri anglez theksoi se Elfat është një gjyqtar cilësor, por vuri në pikëpyetje përvojën e tij në përballje me presion të tillë.

“Elfath është një gjyqtar i mirë, komunikon shumë mirë me lojtarët dhe e menaxhon ndeshjen, por nuk është përballur kurrë me një presion të këtij niveli. Nuk besoj se ka ndonjë favorizim, thjesht FIFA ka besim të madh tek ai”, shtoi Halsey.

Për arbitrin amerikan kjo do të jetë ndeshja e katërt në Kupën e Botës aktuale. Ai ka drejtuar takimet Holandë–Japoni dhe Uruguai–Spanjë në fazën e grupeve, si edhe sfidën e 1/8-ave mes Brazilit dhe Norvegjisë.

Në këto ndeshje, Elfath ka akorduar tetë kartonë të verdhë, një karton të kuq dhe dy penallti, statistika që tregojnë se nuk ka hezituar të marrë vendime të rëndësishme.

Gjysmëfinalja mes Anglisë dhe Argjentinës pritet të zhvillohet në Atlanta, me vëmendjen që tashmë është përqendruar jo vetëm te dy skuadrat, por edhe te arbitri që do të vendosë drejtësi në këtë përballje.