Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një zhvillim që kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një tjetër gur kilometrik në rrugëtimin e vendit drejt familjes evropiane.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e IX Ndërqeveritare BE–Shqipëri, të zhvilluar në Bruksel, Rama deklaroi se ky hap përbën një vlerësim të qartë për progresin e bërë nga vendi dhe për rezultatet e reformave të ndërmarra.
Sipas kryeministrit, mbyllja e tre kapitujve nuk është vetëm një procedurë teknike, por një tregues se Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me standardet evropiane dhe po përgatitet për përgjegjësitë e anëtarësimit.
“Ajo që ndodhi shënon një gur kilometrik tjetër të rëndësishëm në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë dhe ky është një vlerësim i qartë se Shqipëria po ecën përpara, reformat po japin rezultate dhe vendi ynë është gjithnjë më i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se procesi i integrimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe besueshmëri nga të dyja palët, duke vlerësuar edhe rolin e Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, për mbështetjen gjatë këtij procesi.
Rama tha se afrimi me Bashkimin Evropian po sjell standarde më të larta për qytetarët shqiptarë, po forcon institucionet dhe po krijon më shumë mundësi për zhvillimin e vendit.
Sipas tij, mbështetja e qytetarëve për integrimin evropian dhe kërkesa e tyre për më shumë rezultate janë një tregues se shoqëria shqiptare kërkon përmirësime të mëtejshme.









