Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e ka cilësuar mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë si një arritje të rëndësishme në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi duhet të vijojë me ritëm të lartë zbatimin e reformave.
Në fjalën e saj gjatë Konferencës së IX Ndërqeveritare në Bruksel, Kos vlerësoi përputhjen e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, si edhe përmbushjen e kushteve të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit.
Ajo u shpreh se mbyllja e tre kapitujve është vetëm një hap në rrugën drejt anëtarësimit, ndërsa mbeten edhe 30 kapituj të tjerë për t’u negociuar.
Komisionerja theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë progresin në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian do të vijojë të kërkojë reforma të thella dhe të qëndrueshme.
Kos solli në vëmendje edhe përfitimet që Shqipëria ka pasur nga bashkëpunimi me BE-në, duke përmendur pjesëmarrjen e universiteteve shqiptare në rrjetet evropiane të inovacionit dhe faktin se mbi 50 mijë studentë shqiptarë kanë përfituar nga programi Erasmus+.
Ajo iu referua edhe sondazheve të fundit, sipas të cilave 92% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, 94% besojnë se anëtarësimi do t’i sjellë vendit më shumë përfitime, ndërsa 93% shprehin besim ndaj BE-së.
Në përfundim, Marta Kos theksoi se reformat duhet të zhvillohen në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, me përfshirjen e shoqërisë civile dhe publikut, duke garantuar se do të mbështesë Shqipërinë gjatë gjithë mandatit të saj.









