Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar Zejnulla Gashin në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Haxhiu njoftoi se vendimi u mor pas shqyrtimit të propozimit dhe të gjithë dokumentacionit të dorëzuar nga KPK-ja, duke përfshirë edhe informacionet e institucioneve të sigurisë, si dhe raportet e organizatave që monitoruan procesin e përzgjedhjes.
Sipas saj, emërimi është bërë në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, duke pasur parasysh rëndësinë e funksionit dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë.
Në reagimin e saj, Haxhiu i uroi suksese Gashit në detyrën e re dhe theksoi se posti i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues.
Ajo kërkoi që lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kriminelëve të luftës dhe çdo forme tjetër kriminaliteti të marrë përgjigjen e duhur nga organi i akuzës.
Gjithashtu, Haxhiu shprehu pritshmërinë që Gashi ta ushtrojë detyrën me integritet profesional e moral, paanshmëri dhe guxim, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Zejnulla Gashi u propozua një ditë më parë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke siguruar pesë nga gjashtë votat e anëtarëve të këtij institucioni. Ai pason në detyrë Blerim Isufajn.









