Tatimet zbresin në terren/ Auditim për individët me pasuri të larta – 129 të kontrolluar dhe 144 të tjerë në verifikim

Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollin ndaj individëve me pasuri të larta, në kuadër të reformës për forcimin e administrimit fiskal dhe përafrimin e sistemit tatimor me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 qershor 2026 janë audituar 129 individë, ndërsa nga kontrollet janë identifikuar parregullsi me një vlerë prej rreth 770 mijë eurosh.

Administrata bën të ditur se auditimet janë përqendruar te rastet që paraqesin rrezik të lartë për mosdeklarim të të ardhurave apo pasurive. Përzgjedhja e subjekteve është bërë mbi bazën e analizës së riskut dhe informacionit të siguruar nga burime të ndryshme dhe palë të treta.

Paralelisht, vetëm gjatë vitit 2026 janë nisur edhe 144 kontrolle të reja, ndërsa objektivi i institucionit është që deri më 31 dhjetor 2026 të përfundojnë gjithsej 200 auditime, në zbatim të Axhendës së Reformave.

Sipas Administratës Tatimore, ky proces synon të rrisë përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore, të luftojë evazionin fiskal dhe të forcojë ndërtimin e një administrate më moderne, më efikase dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.