Trump ndryshon qëndrim për Hormuzin/ Bllokada vetëm për Iranin – Për gjithë të tjerët Ngushtica mbetet e hapur

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, duke hequr dorë nga propozimi për vendosjen e një tarife prej 20% ndaj anijeve që kalojnë në këtë korridor strategjik.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se ngushtica do të mbetet e hapur për të gjithë trafikun ndërkombëtar detar, me përjashtim të anijeve që lidhen me Iranin. Ai njoftoi se propozimi për tarifën do të zëvendësohet me marrëveshje tregtare dhe investimesh me shtetet e Gjirit.

Presidenti amerikan theksoi se do të mbetet në fuqi një bllokadë e plotë ndaj anijeve që nisen drejt porteve iraniane, vijnë prej tyre ose transportojnë mallra me origjinë iraniane.

“Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjithë trafikun detar, përveç Iranit. Do të ketë një bllokadë të plotë vetëm për anijet që vijnë nga ose shkojnë drejt porteve iraniane, si dhe për ato që transportojnë ngarkesa iraniane”, shkroi Trump.

Vetëm një ditë më parë, ai kishte propozuar vendosjen e një tarife 20% për anijet që përdorin Ngushticën e Hormuzit, si përgjigje ndaj kërcënimeve të përsëritura të Teheranit për të vendosur tarifa ndaj mjeteve lundruese që kalojnë në këtë rrugë detare pas konfliktit të fundit.

Ngushtica e Hormuzit dhe programi bërthamor i Iranit mbeten dy çështjet kryesore që po pengojnë arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm. Trump ka përsëritur se Irani nuk duhet të zotërojë armë bërthamore, ndërsa autoritetet iraniane kanë deklaruar vazhdimisht se synojnë të ushtrojnë kontroll mbi ngushticën dhe të vendosin tarifa për anijet ndërkombëtare.

Gjatë konfliktit të këtij viti, kufizimi i trafikut në Ngushticën e Hormuzit ndikoi ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke rritur çmimet e naftës dhe gazit. Para shpërthimit të luftës, përmes kësaj rruge kalonte rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz.

Ja postimi:👉 https://truthsocial.com/@realDonaldTrump/posts/116918941071241802