Paris Saint-Germain ka nisur lëvizjet për një transferim surprizë në merkaton e verës, duke hapur bisedimet për rikthimin e mbrojtësit të majtë francez Lucas Digne, aktualisht pjesë e Aston Villas.
Me përfundimin e angazhimeve në Kupën e Botës dhe rikthimin e futbollistëve pranë klubeve të tyre, merkatoja verore po hyn në fazën më intensive. Ndërsa disa prej klubeve më të mëdha evropiane po finalizojnë afrimet e tyre, edhe kampionët e Europës po përshpejtojnë planet për sezonin 2026/27.
Sipas raportimit të The Athletic, PSG ka avancuar negociatat me Aston Villën për transferimin e Digne, i cili është pjesë e kombëtares franceze dhe po zhvillon Kupën e Botës. Mbrojtësi 32-vjeçar ka një klauzolë largimi me vlerë më pak se 10 milionë euro, ndërsa kontrata e tij me klubin anglez skadon pas dy sezonesh.
Edhe pse trajneri Unai Emery e konsideron ende zgjedhjen e parë në krahun e majtë të mbrojtjes, drejtuesit e Aston Villës e shohin Ian Maatsen si pasuesin afatgjatë të francezit, çka mund të lehtësojë largimin e Digne gjatë kësaj vere.
Lucas Digne iu bashkua Aston Villas në janar të vitit 2022, pas aventurës me Evertonin, dhe që prej atëherë ka regjistruar 182 paraqitje me fanellën e klubit anglez. Më herët ai ka mbrojtur edhe ngjyrat e Lille, Romës, Barcelonës dhe vetë Paris Saint-Germainit.

Rikthimi në “Parc des Princes” do të ishte një rikthim në vendin ku Digne luajti nga viti 2013 deri në 2016, periudhë gjatë së cilës fitoi dy tituj kampion në Ligue 1.
Në nivel ndërkombëtar, mbrojtësi francez ka zhvilluar 62 ndeshje me përfaqësuesen e Francës dhe ka qenë pjesë e katër takimeve të “Gjelave” në rrugëtimin drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës, duke mbetur një nga lojtarët më me përvojë në repartin defensiv të Didier Deschamps.









