Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka koordinuar nga Turqia përgjigjen ushtarake amerikane ndaj Iranit, pas sulmeve të fundit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Lajmi është bërë i ditur nga rrjeti amerikan CNN, i cili ka zbardhur detaje nga diskutimet e zhvilluara në margjinat e samitit të NATO-s.
Sipas burimeve të televizionit amerikan, Trump zhvilloi një takim me rreth të ngushtë sigurie, ku morën pjesë Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, si dhe kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine. Gjatë këtij takimi u analizuan opsionet e reagimit të Shteteve të Bashkuara, përfshirë goditjen e objektivave ushtarake iraniane.
Në Ankara ndodhej gjithashtu edhe Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i cili zhvilloi konsultime me presidentin amerikan për masat ekonomike ndaj Iranit. Në fokus të diskutimeve ishte rikthimi i sanksioneve të ashpra ndaj Teheranit, pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
Sipas CNN, Donald Trump ka shprehur pakënaqësi për shkeljet që, sipas administratës amerikane, Irani i ka bërë Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar vetëm pak javë më parë. Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë akuzuar Uashingtonin për shkelje të së njëjtës marrëveshje, duke thelluar edhe më tej përplasjen diplomatike mes dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Turqi, presidenti amerikan zhvilloi edhe një bisedë private me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të darkës zyrtare të organizuar nga presidenti turk.
Një ditë pas këtyre takimeve, Mark Rutte mbështeti publikisht veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se sulmet ndaj objektivave iraniane ishin “absolutisht të domosdoshme” për t’iu përgjigjur përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.
Zbulimet e CNN hedhin dritë mbi mënyrën se si u morën vendimet për operacionin ushtarak amerikan, duke treguar se koordinimi politik, diplomatik dhe ushtarak u zhvillua gjatë samitit të NATO-s në Turqi, vetëm pak orë përpara nisjes së sulmeve ndaj Iranit.









