Trump sulmon ashpër Iranin nga samiti i NATO-s: “Është një kancer që duhet ndalur para se të jetë tepër vonë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka intensifikuar retorikën kundër Iranit gjatë fjalës së mbajtur në samitin e NATO-s në Turqi, duke e cilësuar regjimin iranian si një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare dhe duke deklaruar se ai duhet të ndalet sa më parë.

Në deklaratën e tij, Trump përdori një gjuhë të ashpër ndaj udhëheqjes së Teheranit, të cilën e përshkroi si “regjim të keq”, ndërsa drejtuesit iranianë i cilësoi “njerëz të sëmurë”.

“Drejtuesit iranianë janë njerëz të këqij. Janë një kancer dhe ju e dini se çfarë bëhet me kancerin: duhet ndaluar sa më shpejt, përpara se të jetë tepër vonë”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump ritheksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura për të mos lejuar Iranin të zhvillojë armë bërthamore, duke e cilësuar këtë si një vijë të kuqe të politikës amerikane.

Gjatë fjalës së tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë iu referua edhe sulmeve të fundit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, si dhe goditjeve të raportuara ndaj objektivave në Kuvajt dhe Bahrein. Sipas tij, këto ngjarje dëshmojnë se regjimi iranian vazhdon të përbëjë një rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe për sigurinë globale.

Presidenti amerikan e cilësoi administratën iraniane si “të çmendur”, duke theksuar se Uashingtoni do të vijojë të kundërshtojë me çdo mjet përpjekjet e Teheranit për të siguruar kapacitete bërthamore ushtarake.

Deklaratat e Trump vijnë në një moment të tensionuar në rajon, pas përshkallëzimit të përplasjeve ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si edhe pas incidenteve të fundit në Ngushticën e Hormuzit, që kanë rritur ndjeshëm shqetësimet për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.