Punimet e Samitit të NATO-s kanë nisur zyrtarisht në Ankara, ku janë mbledhur 32 krerë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të Aleancës. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, hapi takimin me një fjalim të përqendruar te sfidat e sigurisë globale, lufta në Ukrainë, tensionet me Iranin dhe roli që duhet të luajë Europa në mbrojtjen e kontinentit.
Në fjalën e tij, Erdogan theksoi se vendet europiane duhet të marrin një përgjegjësi më të madhe për sigurinë e përbashkët, duke paralajmëruar se vendimet që krijojnë ndarje mes aleatëve rrezikojnë të dobësojnë vetë NATO-n.
“U kemi kërkuar aleatëve europianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit. Duhet të largohemi nga vendimmarrjet që dobësojnë Aleancën. Përjashtimi i aleatëve dhe krijimi i ndarjeve artificiale nuk i shërben mbrojtjes transatlantike”, deklaroi presidenti turk.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Erdogan tha se ndan të njëjtin qëndrim me presidentin amerikan Donald Trump për domosdoshmërinë e arritjes së paqes, ndërsa nënvizoi se mbështetja për Kievin duhet të mbetet një prioritet i Aleancës.
Presidenti turk theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së kanaleve të komunikimit me Rusinë, duke argumentuar se dialogu mbetet një element kyç për zgjidhjen e konfliktit.
Sa i përket përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, Erdogan vlerësoi përpjekjet diplomatike të administratës amerikane për menaxhimin e krizës me Iranin dhe u shpreh se Turqia është e gatshme të kontribuojë në garantimin e sigurisë së lundrimit në Gjirin e Hormuzit.
“Vlerësojmë përpjekjet e presidentit Trump për të siguruar që kriza me Iranin të zgjidhet. Turqia është e gatshme të japë kontributin e saj për pastrimin e Gjirit të Hormuzit nga minat dhe për garantimin e sigurisë së lundrimit”, u shpreh Erdogan.
Samiti i NATO-s pritet të dominohet nga diskutimet mbi sigurinë euroatlantike, luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare në një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më të paqëndrueshme.









