Granit Xhaka ka reaguar për herë të parë ndaj spekulimeve që e lidhin me një transferim te Chelsea, duke theksuar se në këtë moment e gjithë vëmendja e tij është e përqendruar te Kombëtarja e Zvicrës dhe Kupa e Botës 2026.
Mesfushori i Sunderlandit udhëhoqi si kapiten helvetët drejt fitores 2-0 ndaj Algjerisë në fazën e 1/16-ave, ndërsa paralelisht vazhdojnë raportimet për interesimin e klubit londinez.
Sipas talkSPORT, Chelsea ka paraqitur një ofertë fillestare prej rreth 9.3 milionë eurosh për 33-vjeçarin, por ajo është refuzuar menjëherë nga Sunderlandi. Klubi anglez e ka konsideruar ofertën të papranueshme dhe nuk ka ndërmend të negociojë largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Interesimi i Chelsea lidhet edhe me trajnerin Xabi Alonso, i cili dëshiron të ribashkohet me Xhakën pas bashkëpunimit të suksesshëm te Bayer Leverkusen, ku së bashku fituan Bundesligën në sezonin historik 2023/24.
Megjithatë, vetë futbollisti nuk dëshiron të shpërqendrohet nga objektivat me kombëtaren.
“Nuk është puna ime të flas për një transferim të mundshëm te Chelsea. Për këtë janë menaxherët e mi. Unë dua të jem plotësisht i fokusuar te Kupa e Botës,” u shpreh Xhaka.
Mesfushori e konfirmoi përqendrimin e tij edhe në fushë, duke luajtur të gjithë ndeshjen në suksesin 2-0 ndaj Algjerisë, fitore që i siguroi Zvicrës kualifikimin në fazën çerekfinale të Botërorit.









