Një ngjarje e rëndë ka tronditur bregdetin e Vlorës pasditen e kësaj të premteje, ku një 29-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se u mbyt në ujërat e plazhit të Porto Novos.
Sipas të dhënave paraprake, e reja u përball me rrymat e forta detare që karakterizojnë këtë zonë, e cila prej vitesh konsiderohet si një nga pikat më problematike dhe më të rrezikshme të bregdetit të Vlorës.
Pas sinjalizimit të ngjarjes, u ndërhy për nxjerrjen e saj nga deti, por fatkeqësisht 29-vjeçarja nuk arriti të mbijetonte. Trupi i pajetë u transportua me gomone drejt Triportit dhe më pas u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Vlorës për kryerjen e procedurave përkatëse.
Ndërkohë, efektivët e Policisë së Vlorës kanë nisur veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Uniformat blu po marrin në pyetje banorë dhe pushues që ndodheshin në zonë në momentin e incidentit, ndërsa pritet edhe raporti zyrtar mbi shkaqet e kësaj tragjedie.
Autoritetet u bëjnë sërish apel qytetarëve dhe pushuesve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë frekuentimit të zonave me rryma të forta detare dhe të respektojnë paralajmërimet e strukturave përgjegjëse për sigurinë në plazhe.









