Kristiano Ronaldo dhe Lamine Yamal do të përballen sërish në një duel të madh, teksa Portugalia dhe Spanja do të ndeshen në raundin e 1/16-ve të Kupës së Botës FIFA 2026, të hënën në stadiumin e Dallasit.
Të dyja skuadrat siguruan kualifikimin pas fitoreve në raundin e 1/32-ve, duke përgatitur një përballje që pritet të jetë ndër më të fortat e këtij turneu. Spanja mposhti Austrinë me rezultatin 3-0 në Los Anxhelos, ndërsa Portugalia kaloi me vështirësi Kroacinë 2-1 në Toronto.
Kjo ndeshje rikthen kujtimet e finales së Ligës së Kombeve të UEFA-s në vitin 2025, ku Portugalia triumfoi pas ekzekutimit të penalltive, duke fituar trofeun ndaj spanjollëve.
Në atë finale, Kristiano Ronaldo ishte një nga protagonistët kryesorë me golin e tij, ndërsa Lamine Yamal nuk arriti të linte gjurmë në rezultat.
41-vjeçari Ronaldo vazhdon të jetë vendimtar për Portugalinë edhe në këtë Botëror, duke shënuar katër gola në tre ndeshje. Nga ana tjetër, 18-vjeçari Yamal ka regjistruar golin e tij të parë në një Kupë Bote gjatë fitores 4-0 të Spanjës ndaj Arabisë Saudite në fazën e grupeve.
Përballja e së hënës do të jetë vetëm ndeshja e dytë në karrierë mes dy yjeve me diferencë të madhe moshe prej 23 vitesh, por me një ndikim të madh në skenën ndërkombëtare të futbollit.
Spanja dhe Portugalia pritet të dhurojnë një duel spektakolar, ku njëra prej tyre do të sigurojë kalimin në çerekfinale, ndërsa tjetra do të largohet nga turneu në një nga përballjet më të forta të kësaj faze.









