Revolta qytetare e nisur fillimisht përpara Kuvendit të Shqipërisë është shtrirë më pas në disa zona të kryeqytetit, duke marrë përmasa më të gjera dhe duke rritur tensionet politike e sociale në Tiranë.
Qytetarët e mbledhur në protestë kanë artikuluar kërkesa të forta politike, ku ndër kryesoret është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar atë përgjegjës për situatën aktuale në vend. Tubimi, i cili nisi në orët e paradites, u shoqërua me lëvizje të shumta në disa akse kryesore të qytetit dhe me prani të shtuar të forcave të rendit.
Situata në terren është karakterizuar nga momente tensionesh dhe përplasje të herëpashershme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Në disa raste janë regjistruar edhe shoqërime të personave pjesëmarrës në protestë, mes tyre edhe aktivisti Gent Progni, sipas burimeve nga terreni.
Ndërkohë, qytetarët janë shprehur të vendosur se nuk do të tërhiqen nga tubimi pa u përmbushur kërkesa e tyre kryesore, dorëheqja e kreut të qeverisë.
Në reagim ndaj zhvillimeve, kryeministri Edi Rama ka publikuar një deklaratë në rrjetin social “X”, ku ka komentuar mënyrën se si protesta është zhvilluar dhe transformuar gjatë ditës. Ai shkruan se ajo që nisi si një “protestë e bukur qytetare” ka përfunduar në një situatë tensioni dhe konflikti.
“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë dhe pastërtisë, ia ka lënë vendin filmit të vjetër të konfliktit, sherrit dhe dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik,” – deklaron Rama në reagimin e tij.
Tubimi vijon të mbetet i tensionuar, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër situatën në disa pika të kryeqytetit.









