Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar zyrtarisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin një vendim për dhënien e një licence që do t’i lejonte Kievit të prodhonte në territorin e vet sistemet e famshme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, të prodhuara aktualisht në SHBA.
Kërkesa vjen në një moment të ri përshkallëzimi të sulmeve ruse gjatë natës, të cilat kanë shtuar nevojën e Ukrainës për forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Zelensky theksoi se mbrojtja ajrore mbetet “një çështje absolutisht me përparësi të lartë dhe kritike” për vendin e tij, i cili prej më shumë se dy vitesh ndodhet në luftë të hapur me Rusinë.
“Është veçanërisht e rëndësishme që marrëveshjet tona me SHBA-në mbi prodhimin e raketave antibalistike të ecin drejt zbatimit”, deklaroi presidenti ukrainas, duke nënvizuar nevojën për konkretizim të bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
Ai shtoi gjithashtu se Ukraina pret një vendim pozitiv nga Uashingtoni për licencat e prodhimit të sistemeve “Patriot” dhe projekteve të tjera të përbashkëta ushtarake, duke i cilësuar këto hapa si vendimtarë për mbijetesën dhe sigurinë e vendit.
“Ne gjithashtu mbështetemi shumë në vendimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me licencat për Patriot dhe punë të tjera të përbashkëta: kjo është ajo që mund të ndalojë luftën dhe sulme të ngjashme”, u shpreh Zelensky.
Ukraina aktualisht disponon sistemet “Patriot”, të cilat janë ndër të vetmet armë në arsenalin e saj të afta për të neutralizuar raketat balistike ruse. Megjithatë, autoritetet në Kiev synojnë që në të ardhmen të zhvillojnë kapacitete prodhuese brenda vendit.
Nga ana tjetër, ish-presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar më herët se do të “shqyrtojë” mundësinë që Ukraina të prodhojë vetë raketa “Patriot”, duke lënë të hapur diskutimin për një bashkëpunim më të thelluar në fushën e mbrojtjes.









