Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar në Kuvend se protestat kundër qeverisë shqiptare po financohen nga aktorë të huaj, përfshirë Iranin, disa vende fqinje dhe, sipas tij, edhe Kremlinin.
Deklarata e tij u bë gjatë seancës plenare të ditës së sotme, në një kohë kur jashtë ambienteve të Parlamentit vijonte protesta e qytetarëve në kryeqytet.
Balla pretendoi se pas protestës që po zhvillohet në Tiranë fshihen interesa të huaja që synojnë destabilizimin e vendit dhe pengimin e zhvillimit të Shqipërisë, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe ekonomisë.
Sipas tij, ajo që ai e cilësoi si “qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove” duhet të distancohet nga individë dhe grupe që, siç u shpreh ai, po përdorin protestën për qëllime të tjera.
“Protesta nuk ka asgjë të përbashkët me këta individë kriminalë që po e përdorin për qëllimet e tyre të pista dhe për interferenca të huaja. Kush nuk e beson se këtu ka dorë të huaj që paguan për destabilizim, duhet ta kuptojë qartë se nuk bëhet fjalë vetëm për Iranin dhe vende të tjera fqinje që nuk duan zhvillimin e Shqipërisë në turizëm, por edhe për aktorë të tjerë, përfshirë Kremlinin,” deklaroi Balla.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protestat në kryeqytet vijojnë prej disa ditësh me kërkesa të ndryshme drejtuar qeverisë.









