Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka vendosur të mos ndërpresë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke vlerësuar se në këtë rast nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga ligji i dekriminalizimit.
Vendimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesës së ish-kandidatit të opozitës, Lefter Maliqi, i cili pretendonte se Hajdari kishte pasur probleme me formularin e vetëdeklarimit, duke dyshuar se kishte fshehur një dënim të mëparshëm në Greqi.
Pas analizimit të dokumentacionit dhe pretendimeve të paraqitura, Celibashi ka arritur në përfundimin se nuk ekzistojnë elemente që përbëjnë shkak ligjor për ndalimin e ushtrimit të funksionit publik nga kryebashkiaku aktual i Kuçovës.
Si pasojë e këtij vendimi, Kreshnik Hajdari vijon zyrtarisht ushtrimin e detyrës së tij në krye të Bashkisë së Kuçovës, pa ndryshime në statusin e mandatit.
“Nuk jemi në kushtet e ndalimit për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Subjekti nuk është në kushtet e ndalimit të ligjit, sipas interpretimit që i bëj unë si Komisioner”, është shprehur Celibashi në argumentimin e vendimit të tij.









