Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet indirekte me Iranin që po zhvillohen në Doha po ecin në drejtimin e duhur, duke theksuar njëkohësisht se Uashingtoni mban qëndrim të pandryshuar për programin bërthamor të Teheranit.
Duke folur para mediave, Trump u shpreh se pala iraniane ka ndryshuar ndjeshëm qasje në procesin e negociatave dhe se dialogu aktual po jep sinjale pozitive. Megjithatë, ai ritheksoi se SHBA nuk do të lejojë që Irani të pajiset me armë bërthamore, duke e konsideruar këtë çështje thelbësore për sigurinë ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se bisedimet dhe marrëveshjet e fundit kanë filluar të sjellin rezultate konkrete ekonomike për vendin. Sipas tij, janë lehtësuar disa kufizime financiare dhe monetare që kishin ndikuar negativisht ekonominë iraniane, ndërsa eksporti i naftës dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik po japin efektet e para pozitive.
Burime mediatike raportojnë gjithashtu se në Doha është arritur një marrëveshje paraprake për lirimin e rreth 3 miliardë dollarëve fonde të ngrira për Iranin. Sipas këtyre burimeve, diskutimet po vazhdojnë edhe për çështje të ndjeshme rajonale, përfshirë statusin e Ngushticës së Hormuzit, në kuadër të një propozimi të ri të ndërmjetësuar nga Omani.
Negociatat po zhvillohen në mënyrë indirekte, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Pakistanit, ndërsa palët pritet të rikthehen në konsultime të brendshme përpara një raundi të ri bisedimesh.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “Wall Street Journal”, presidenti amerikan është informuar edhe për skenarë alternativë ushtarakë ndaj Iranit, por aktualisht po i jep përparësi rrugës diplomatike, duke vlerësuar se një konflikt i ri mund të dëmtojë procesin negociues.
Zyrtarët e Katarit kanë sqaruar se aktualisht nuk është planifikuar asnjë takim i drejtpërdrejtë mes SHBA-së dhe Iranit në nivel të lartë, ndërsa komunikimi po zhvillohet përmes ndërmjetësve. Doha ka konfirmuar angazhimin për të vazhduar rolin e saj si ndërmjetës në këtë proces.
Nga ana iraniane, është përsëritur qëndrimi se fokusi kryesor i bisedimeve është lirimi i fondeve të ngrira dhe zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, ndërsa Teherani ka theksuar se nuk do të vijojë me raunde të reja negociatash pa përmbushjen e kushteve të dakorduara më parë.
Procesi diplomatik SHBA–Iran mbetet në zhvillim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër ecurinë e bisedimeve në Doha, të cilat konsiderohen kyçe për stabilitetin në Lindjen e Mesme.









