Në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore është zhvilluar një debat mes deputetes së opozitës Albana Vokshi dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, lidhur me çështjen e ashtuquajtur të “patronazhistëve” gjatë proceseve zgjedhore.
Deputetja Vokshi i kërkoi sqarime kreut të SPAK nëse institucioni që ai drejton do të hetojë përdorimin e këtij sistemi në zgjedhje, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tij në procesin elektoral dhe privatësinë e qytetarëve.
Në përgjigjen e tij, Braho theksoi se sistemi i referuar nuk parashikohet si vepër penale nga legjislacioni aktual në fuqi dhe për rrjedhojë nuk bie në juridiksionin e SPAK.
Ai sqaroi gjithashtu se çështje të tilla nuk përfshihen në objektin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, e cila vepron vetëm brenda kufijve të përcaktuar nga ligji dhe kompetencat e saj hetimore.
Debati u zhvillua në kuadër të diskutimeve për reformën zgjedhore, ku përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës po paraqesin qëndrimet e tyre mbi problematikat e procesit zgjedhor dhe nevojën për ndryshime ligjore.
Pjesë nga debati:
“Vitet e fundit më rezulton se është fenomeni më negativ, para zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, fenomeni i patronazhimit. Në shkelje të kushtetutës, janë vjedhur, shpërdoruar, abuzuar të dhënat personale të çdo votuesi. Pyetja që kam unë është a keni bërë juve ndonjë hetim kryesisht në lidhje me këtë fenomen. Çdo qytetar shqiptar është i survejuar. Janë trume, shihen përballë çdo qendre votimi. Është krim elektoral. A keni bërë ju ndonjë hetim për këtë. A do hetoni sistemin e patronazhimit, a do hetoni AKSHI-n.”, u shpreh Vokshi.
“Në Kodin Penal, nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, dhe aq më tepër të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale, korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Nëse një funksionar ka shpërdoruar detyrën, nëse një person ka nxjerrë të dhëna personale është vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm”, u shpreh Braho









