Analisti dhe opinionisti Ilir Demaliaj ka kallëzuar në Policinë e Shtetit një ngjarje të rëndë, duke pretenduar se është sulmuar dhe dhunuar nga dy persona pranë banesës së tij në Tiranë.
Sipas të dhënave të raportuara, kallëzimi është depozituar në Komisariatin e Policisë Nr. 3 në kryeqytet, ku Demaliaj ka deklaruar se incidenti ka ndodhur në afërsi të vendbanimit të tij dhe se autorët e dyshuar janë larguar menjëherë pas ngjarjes.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se pas denoncimit, forcat e policisë kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se po verifikohen pamjet e mundshme të kamerave të sigurisë në zonë dhe po mblidhen dëshmi nga banorët e lagjes, me qëllim zbardhjen e motivit dhe dinamikës së incidentit.
Ndërkohë, Policia e Tiranës po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, ndërsa hetimet mbeten në fazën e parë procedurale.









