Manchester United vazhdon të monitorojë nga afër situatën e Aurelien Tchouameni te Real Madridi, me mesfushorin francez që mbetet një nga objektivat kryesorë të klubit anglez në këtë merkato vere.
Sipas ekspertit të merkatos, Fabrizio Romano, drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë të gatshëm të bëjnë një lëvizje konkrete për 26-vjeçarin, por vetëm nëse ai pranon të ulë kërkesat e tij financiare.
United e konsideron shumë të lartë koston totale të operacionit, pasi përveç shumës që do t’i duhet t’i paguajë Real Madrid për kartonin e lojtarit, klubi duhet të përballojë edhe pagën e konsiderueshme të mesfushorit francez.
Megjithatë, për momentin një transferim duket i vështirë. Tchouameni nuk ka dhënë sinjale se dëshiron të largohet nga “Santiago Bernabéu” dhe synon të vazhdojë karrierën me fanellën e Real Madridit, për sa kohë që mbetet një element i rëndësishëm në planet e trajnerit.
Situata mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm, veçanërisht nëse francezi zhvillon një Kupë Bote të suksesshme me kombëtaren e tij, gjë që do të rriste edhe më shumë vlerën e tij në tregun e transferimeve.









