Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të premte të ndryshojë masën e sigurisë ndaj ish-drejtorit të Bashkisë së Tiranës, Taulant Tushe, duke zëvendësuar masën e arrestit në shtëpi me detyrim paraqitjeje.
Tushe ndodhej në arrest shtëpie që nga janari i këtij viti, pas një vendimi të mëparshëm të Apelit të GJKKO-së. Me vendimin e fundit, gjykata ka lehtësuar masën e sigurisë ndaj tij, ndërsa procesi gjyqësor vijon.
Ish-zyrtari është një nga të pandehurit në dosjen e njohur si “5D”, ku akuzohet së bashku me Redi Molla dhe Mariglen Qato.
Sipas Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Tushe dyshohet se ka favorizuar shoqërinë 5D Konstruksion sh.p.k. në disa procedura tenderimi të Bashkisë së Tiranës, duke i krijuar avantazhe të padrejta në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Taulant Tushe u arrestua në mars të vitit 2024 me urdhër të SPAK. Përveç dosjes “5D”, ai po përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor që lidhet me çështjen e inceneratorit të Tiranës.









