Komisioni Evropian po përgatit një plan të ri për t’u ofruar vendeve kandidate përfitime konkrete ekonomike përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Nisma synon të mbajë gjallë procesin e zgjerimit, duke shpërblyer vendet që avancojnë me reformat, edhe nëse anëtarësimi mbetet ende disa vite larg.
Sipas propozimit, vendet kandidate do të kenë mundësi të përfitojnë më shumë fonde nga BE-ja, marrëveshje më të favorshme tregtare dhe akses të pjesshëm në tregun e përbashkët evropian. Këto përfitime do të jepen gradualisht, në varësi të progresit që secili shtet arrin në përmbushjen e reformave dhe përafrimin me legjislacionin evropian.
Ndryshe nga propozimet e mëparshme, të cilat parashikonin dhënien e disa të drejtave politike përpara anëtarësimit dhe u kundërshtuan nga shtetet anëtare, modeli i ri fokusohet vetëm te integrimi ekonomik, pa ndryshuar statusin formal të vendeve kandidate.
Eurodeputeti lituanez Petras Auštrevičius u shpreh se parimi “më shumë për më shumë” duhet të mbetet baza e procesit të zgjerimit, duke shpërblyer vendet që përparojnë më shpejt në zbatimin e reformave.
Komisioni Evropian pritet të kërkojë mbështetjen e vendeve anëtare për këtë iniciativë, me synimin që një kornizë e re politike të miratohet në një nga mbledhjet e Këshilli Evropian gjatë muajve tetor ose dhjetor.
Propozimi vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian kërkon të përshpejtojë procesin e zgjerimit, veçanërisht pas luftës në Ukrainë, duke ruajtur njëkohësisht standardet për demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Modeli i integrimit gradual synon të mbajë të angazhuara vende si Ukraina dhe Moldavia, të cilat mund të presin ende për vite të tëra për anëtarësimin e plotë. Moldavia ka përfituar tashmë disa masa integruese, si qasja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, marrëveshjet e roaming-ut dhe programe të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se Brukseli po përgatit edhe mekanizma të rinj monitorimi për të garantuar që vendet e reja anëtare të respektojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit edhe pas anëtarësimit.









