Thellohet skandali në Akademinë e Sigurisë/ Shkon në 64 numri i studentëve të helmuar – Nën hetim Sori-Al dhe AKU

Është rritur në 64 numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në Akademinë e Sigurisë, i cili furnizohej përmes shërbimit të kateringut nga kompania Sori-Al. Katër studentë të tjerë janë paraqitur në urgjencë me të njëjtat simptoma, duke e rënduar bilancin e incidentit.

Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, ndërsa dosja e këtij rasti pritet të bashkohet me procedimin penal të nisur pas helmimit të parë të studentëve, të regjistruar në fillim të muajit maj.

Hetimet nuk janë përqendruar vetëm te kompania që furnizon ushqimin, por edhe te Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Prokuroria po verifikon nëse institucioni ka ushtruar kontrollet e nevojshme në ambientet e kompanisë pas rifillimit të aktivitetit të saj në Akademinë e Sigurisë.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë Sori-Al, Alma Tafani, e cila pas rastit të parë të helmimit po hetohet në gjendje të lirë.

Grupi hetimor është gjithashtu në pritje të rezultateve laboratorike të mostrave të ushqimit të marra nga AKU. Këto analiza pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të helmimit dhe në identifikimin e përgjegjësive për incidentin që ka prekur 64 studentë të Akademisë së Sigurisë.