Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër këtë të martë në rrjetet sociale lidhur me protestën që po vijon prej 22 ditësh dhe me publikimin e pesë kërkesave kryesore të protestuesve.
Në qendër të reagimit të tij është vënë ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, i cili lexoi publikisht kërkesat e grupit të protestuesve, duke deklaruar se ishte i autorizuar nga koordinimi i tyre për të folur në emër të organizatorëve.
Rama e ka cilësuar Goxhajn me tone të ashpra, duke e quajtur “manipulator gjysmë taleban dhe gjysmë mitoman”, ndërsa ka theksuar se askush nuk mund të cenojë, sipas tij, figurën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të njëjtin reagim, kryeministri ka publikuar edhe një dokument të vitit 1999, ku sipas tij Goxhaj ka deklaruar se “nuk është i gatshëm të marrë pjesë në luftën në Kosovë si të tjerët”, duke e përdorur këtë si argument për të kundërshtuar figurën dhe deklarimet e tij aktuale.
Rama ka vijuar me një gjuhë të fortë ironike ndaj tij, duke thënë se “nuk i hidhet baltë flamurit të UÇK-së përmes manipulimeve personale”, ndërsa ka shtuar se për të mbrojtur atë simbol, nuk do të pranonte asnjë kompromis, pavarësisht personit që e përmend.
Deklaratat kanë ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke e rritur edhe më tej tensionin rreth protestës dhe figurave që po dalin në pah gjatë saj.
REAGIMI:
“Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që i revoltuar me hosanatë e mbrojtësve të këtij tipit, më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah☹️
Ndërsa këto janë fjalët e mia:
Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së🇦🇱🦅🇽🇰
Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet🤡










