Pas letrës së hapur të publikuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, drejtuar një protestuesi që prej ditësh po qëndron i vetëm përpara godinës së Kryeministrisë, ka ardhur edhe reagimi i drejtpërdrejtë i qytetarit.
Kryeministri Rama, në një mesazh publik, kishte ndarë edhe një fotografi të protestuesit të ulur përpara institucionit qeveritar, duke e cilësuar jo si “humbës proteste”, por si një qytetar të vendosur në bindjet e tij. Në letrën e tij, Rama shprehej se e kuptonte pakënaqësinë dhe shqetësimet e protestuesit, duke përmendur probleme të tilla si korrupsioni, padrejtësitë, çështjet e pronave, shëndetësia dhe pakënaqësia ndaj administratës publike.
Por reagimi i protestuesit nuk ka vonuar. Ai i është përgjigjur drejtpërdrejt kryeministrit në të njëjtin postim, duke ngritur një pyetje të fortë politike dhe morale.
“Nuk më zemëron fakti që nuk më kupton. Më zemëron fakti që më kupton shumë mirë”, ka shkruar ai, duke nënvizuar se, sipas tij, kreu i qeverisë i njeh saktësisht problemet që përshkruan, por nuk ka marrë masa për t’i zgjidhur gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet.
Debati i hapur mes tyre ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, duke rikthyer në fokus tensionet mes qytetarëve protestues dhe institucioneve shtetërore, si dhe pritshmëritë për zgjidhjen e problemeve të përsëritura që ata ngrejnë prej kohësh.









