Kombëtarja e Gjermanisë po përballet me një shqetësim serioz në mes të Kupës së Botës 2026, pasi një nga lojtarët më të rëndësishëm të repartit mbrojtës, Niko Shloterbek, rrezikon të humbasë pjesën e mbetur të turneut për shkak të një dëmtimi të rëndë.
Mbrojtësi 26-vjeçar u dëmtua gjatë ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë. Problemi fizik u shfaq që në minutat e para të takimit, kur ai pësoi një goditje në kyçin e këmbës. Megjithëse tentoi të vazhdonte lojën, gjendja e tij nuk u përmirësua dhe stafi teknik vendosi ta zëvendësonte në pushimin mes pjesëve.
Pas ndeshjes, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsman, pranoi se situata nuk duket aspak optimiste. Sipas tij, ekzistojnë dyshime serioze për një dëmtim të ligamenteve, çka mund ta mbajë futbollistin larg fushave për një periudhë të gjatë.
“Dyshohet se Niko ka pësuar një dëmtim në ligamentet e kyçit të këmbës. Për momentin nuk duket mirë”, deklaroi Nagelsman para mediave.
Sipas raportimeve të medias gjermane Bild, futbollisti iu nënshtrua menjëherë ekzaminimeve të para mjekësore në stadiumin e Torontos. Burime pranë ekipit mjekësor bëjnë me dije se ekziston frika e një këputjeje të ligamentit, një dëmtim që do ta përjashtonte praktikisht nga pjesa e mbetur e Botërorit.
Federata Gjermane e Futbollit ende nuk ka publikuar një komunikatë zyrtare për gjendjen e mbrojtësit, ndërsa gjatë së hënës ai do t’i nënshtrohet një rezonance magnetike, e cila pritet të përcaktojë shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit.
Në rast se konfirmohet skenari më i keq, aventura e Shloterbekut në Kupën e Botës mund të ketë marrë fund pas vetëm dy paraqitjeve. Një mungesë e gjatë do të ishte një goditje e madhe jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për klubin e tij, Borusia Dortmund.
Dëmtimi mund të ketë pasoja edhe në aspektin e karrierës së futbollistit. Në kontratën e tij ekziston një klauzolë largimi me vlerë nga 50 deri në 60 milionë euro, e vlefshme deri menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës. Interes për shërbimet e mbrojtësit kanë shfaqur disa prej klubeve më të mëdha evropiane, përfshirë edhe Real Madridin.
Për këtë arsye, rezultatet e ekzaminimeve mjekësore priten me shumë ankth si në kampin gjerman, ashtu edhe nga klubet që po monitorojnë nga afër situatën e njërit prej mbrojtësve më të vlerësuar të futbollit evropian.









