Shoqeee, do verë të mirë miku” – Zbardhen detaje nga dosja që çoi të pandehur Erion Isain, për “abuzim me detyrën” dhe “favorizim me tenderat”

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, disa ish-zyrtarëve të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe sipërmarrëses Entela Çano, administratore e kompanisë “A&E Engineering”.

Sipas SPAK-ut, hetimet kanë zbuluar shkelje të rënda ligjore në disa procedura prokurimi publik, ku dyshohet për falsifikim dokumentesh, favorizim në tenderë dhe shkaktim dëmi ekonomik ndaj shtetit. Në qendër të dosjes qëndron projekti për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, një investim që u bë objekt polemikash pasi një segment i tij pësoi dëmtime ende pa u inauguruar.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Bashkia Kolonjë nuk dispononte projektin teknik që pretendonte se kishte dorëzuar për realizimin e kësaj vepre. Sipas prokurorisë, dokumentacioni për marrjen në dorëzim të projektit është falsifikuar nga anëtarë të grupit të punës në bashkëpunim me Entela Çanon.

SPAK pretendon gjithashtu se fondi limit i tenderit është përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe mbi bazën e të dhënave të siguruara nga vetë biznesmenia, e cila më pas fitoi kontratën e mbikëqyrjes së punimeve. Sipas ekspertizave të administruara, fondi është fryrë me mbi 590 milionë lekë, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik për buxhetin e shtetit.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.

Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.

Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.

Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).

Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.

Një telefon i sekuestruar gjatë hetimeve nga prokurori Dritan Prenci ka nxjerrë në dritë biseda në aplikacionin WhatsApp mes kryebashkiakut Erion Isai dhe Entela Çano, administratore e kompanisë fituese të tenderëve, “A&E Engineering” sh.p.k.

Hetimet kanë nxjerrë në dritë edhe komunikime të zhvilluara në aplikacionin WhatsApp mes Erion Isait dhe Entela Çanos. Sipas dosjes hetimore, bisedat lidhen me procedura prokurimi dhe me hartimin e kritereve për projekte që më pas janë fituar nga kompania e administruar prej saj.

Përveç çështjes së rrugës Korçë–Ersekë, SPAK ka identifikuar shkelje të dyshuara edhe në procedura të tjera prokurimi, përfshirë mbikëqyrjen e punimeve të kësaj rruge dhe një projekt për ndërtimin e ujësjellësit në Ersekë dhe fshatrat përreth.

Tashmë çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa të pandehurit do të përballen me akuzat që lidhen me procedurat e prokurimit publik dhe administrimin e fondeve shtetërore.

Përmbajtja e bisedave të datës 01.07.2020:

10:05 – Erion Isai i shkruan Entela Çanos: “Mirëmëngjes. Shifi pak këto: Po 110 max ose 90 i jep zgjidhje thuaj Entelës. Vetëm rrjeti i jashtëm deri depo fi 250 në 20 bar është 18 755 ml x 6793 lekë = 127 402 715 pa tush, kurse pesari fi 200 me gjatësi 1 880 x 4747 lekë = 8 924 360 lekë.”

10:06 – Entela Çano: “Mirëmëngjes… ok… më dërgo. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne… reduktim parametrash.”

10:08 – Erion Isai: “Sa më shpejt pls.”

10:09 – Entela Çano: “Ok… pa merak.”

14:57 – Erion Isai: “Më duhet deri të premten. Më duhet lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat, vëlla. Një zjarr të lutem.”

15:00 – Entela Çano: “Pa merak. Do bëj të pamundurën që të premten t’i dorëzojmë.”

15:01 – Erion Isai: “Je yll s’o dooa.”

21:22 – Erion Isai: “Kemi gati ndonjë preventiv të ndonjë fshati?”

21:24 – Entela Çano: “Nesër paradite mendoj se mund të kemi diçka. Po sforcohemi shumë për të arritur vlerën… 230 me TVSH. Jam e saktë? Ma konfirmo të lutem.”

21:24 – Erion Isai: “330 është max.”

21:25 – Entela Çano: “Shyqyr.”

21:28 – Erion Isai: “Pls zjarrrrr. Se nesër duhet me i printu. Vulos këtu te ue. Të premten në mëngjes herët duhen dorëzu.”

21:29 – Entela Çano: “Do bëj më të mirën e mundshme… por jam sforcuar shumë për të kapur vlerën.”

21:29 – Erion Isai: “Ishte teeeeper e lartë. As bëhej fjalë.”

21:30 – Entela Çano: “Me 5 aspra tha do verë të mirë miku: shprehje gjermane.”