Policia ka goditur një rast të rëndë të falsifikimit të dokumenteve, duke zbuluar një ambient të përshtatur si laborator ku dyshohet se prodhoheshin dokumente të ndryshme kundrejt pagesave që varionin nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
Në pranga kanë rënë tre persona, mes tyre dy babë e bir dhe një bashkëpunëtor i tyre, të cilët dyshohet se kishin kthyer një banesë në fshatin Rrushkull të Durrësit në një qendër për falsifikimin e diplomave, certifikatave, dokumenteve gjyqësore dhe vërtetimeve të ndryshme për përdorim në institucione shtetërore dhe private.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar 46 dokumente të dyshuara të falsifikuara, dy vula false, gjashtë celularë dhe tre kompjuterë, të cilët dyshohet se përdoreshin në këtë veprimtari kriminale.
Të arrestuarit janë identifikuar si H. M., 53 vjeç, S. M., 24 vjeç, si dhe E. V., 37 vjeç. Sipas policisë, hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e dyshuar të falsifikimit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.









