Atmosfera e Kupës së Botës 2026 ka prodhuar incidentin e parë mes tifozëve, teksa mbështetësit e Argjentinës dhe Algjerisë janë përfshirë në një përplasje fizike në Times Square të Nju Jorkut, vetëm pak orë para ndeshjes mes dy kombëtareve.
Përballja mes Argjentinës dhe Algjerisë është programuar të luhet në orën 03:00, por tensioni ka nisur jashtë fushës. Një grumbullim i madh tifozësh në një nga zonat më të njohura turistike në botë degjeneroi në dhunë, duke shkaktuar panik mes kalimtarëve dhe turistëve të pranishëm.
Mbështetësit argjentinas ishin mbledhur për “banderazon” tradicionale, një ceremoni festive me flamuj dhe këngë që zhvillohet zakonisht para ndeshjeve të rëndësishme të kombëtares. Times Square ishte pushtuar nga ngjyrat bardhekaltër, ndërsa në të njëjtën zonë ndodheshin edhe tifozë algjerianë, si dhe grupe mbështetësish francezë e senegalezë.
Sipas mediave ndërkombëtare, fillimisht pati shkëmbime provokimesh dhe thirrjesh fyese mes grupeve rivale, përpara se situata të përshkallëzohej në përleshje me grushte dhe shkelma në mes të rrugës.
Policia ndërhyri menjëherë për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer qetësinë, ndërsa raportimet flasin për disa persona të shoqëruar dhe arrestuar pas incidentit.
Ngjarja shënon incidentin e parë të rëndësishëm mes tifozëve në Botërorin 2026, duke ngritur shqetësime për sigurinë në prag të ndeshjeve të mëdha të turneut.









