Real Madridi po vijon punën për të forcuar repartin defensiv dhe ka identifikuar tre emra të rëndësishëm për qendrën e mbrojtjes në këtë merkato vere.
Sipas raportimeve të The Athletic, klubi madrilen ka përfshirë në listën e objektivave Ruben Dias, Nico Schlotterbeck dhe Alessandro Bastoni, ndërsa kërkon të përforcojë prapavijën me një emër të nivelit të lartë.
Objektivi kryesor i madrilenëve, Josko Gvardiol, duket se është larguar nga planet e afërta, pasi kroati është pranë rinovimit të kontratës me Manchester Cityn. Ndërkohë, nuk ka pasur përparim edhe në pistën që çon te Riccardo Calafiori i Arsenalit, duke detyruar drejtuesit e klubit të fokusohen te alternativa të tjera.
Një nga emrat më të pëlqyer është Ruben Dias. Mbrojtësi portugez po monitorohet nga afër, ndërsa e ardhmja e tij te Manchester City mbetet e paqartë pas largimit të Pep Guardiolës. Trajneri i ri i Real Madridit, Jose Mourinho, vlerëson shumë bashkatdhetarin e tij dhe do ta dëshironte në “Santiago Bernabeu”.
Një tjetër kandidat i fortë është Nico Schlotterbeck. Edhe pse mbrojtësi gjerman ka rinovuar së fundmi me Borussia Dortmundin, Real Madridi besohet se po shqyrton mundësinë e aktivizimit të një klauzole lirimi që varion mes 50 dhe 60 milionë eurove.
Në listë figuron edhe Alessandro Bastoni. Mbrojtësi italian ishte përfolur më herët për një transferim te Barcelona, por kjo pistë është ftohur për shkak të kërkesave financiare të Interit dhe prioriteteve të klubit katalanas për të investuar në repartin ofensiv.
Ndërkohë, madrilenët kanë bërë tashmë lëvizje të rëndësishme në mbrojtje, duke siguruar ardhjen e Ibrahima Konate si lojtar i lirë dhe rinovimin e kontratës së Antonio Rudiger, por duket se drejtuesit e klubit nuk e konsiderojnë ende të mbyllur procesin e përforcimit të prapavijës.









