Rokadë emrash në Kuvendin e Kosovës – Ministra, ish-zyrtarë dhe emra të njohur mbeten jashtë Kuvendit

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në përbërjen e deputetëve, duke lënë jashtë disa nga figurat më të njohura të politikës, qeverisjes lokale, akademisë dhe sportit.

Humbjet më të ndjeshme regjistrohen në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku disa emra të njohur nuk kanë arritur të sigurojnë mandat deputeti. Mes tyre janë Haxhi Avdyli, i cili më herët iu bashkua presidentes Vjosa Osmani, si dhe ish-ministrat Rozeta Hajdari dhe Vigan Qorrolli. Jashtë Kuvendit mbeten gjithashtu zëvendësministri Enver Dugolli, ish-kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe personaliteti i njohur i sportit kosovar Bylbyl Sokoli.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës do të ketë mungesa të rëndësishme në grupin e saj parlamentar. Në Kuvendin e ri nuk pritet të jenë pjesë veteranë të politikës kosovare si Xhavit Haliti dhe Nait Hasani, si dhe Arbnore Salihu, Ferat Shala dhe Kujtim Gashi.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ruajtur pothuajse të gjithë deputetët e mandatit të kaluar. Përjashtimi kryesor është Adelina Thaqi, e cila nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për një mandat të ri. Po ashtu, edhe Haxhi Avdyli, i cili kandidoi kësaj radhe nën siglën e LDK-së, nuk arriti të rikthehet në Kuvend.

Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, aktualisht jashtë Kuvendit mbetet Bekë Berisha. Megjithatë, situata mund të ndryshojë, pasi Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj kanë lënë të kuptohet se mund të heqin dorë nga mandatet parlamentare, çka do t’i hapte rrugën rikthimit të Berishës në Kuvend.

Rezultatet përfundimtare dhe votat e mbetura nga diaspora pritet të konfirmojnë përbërjen e plotë të Kuvendit të ri, por tashmë është e qartë se një numër i konsiderueshëm emrash të njohur nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme.