Ish-trajneri i Liverpoolit dhe Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për të aplikuar pushime hidratimi në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës, pavarësisht kushteve klimatike. Sipas teknikut gjerman, kjo masë, e prezantuar si një mënyrë për të mbrojtur shëndetin e futbollistëve, fsheh interesa të qarta komerciale.
“Këto masa u paraqitën si një mburojë për mirëqenien e lojtarëve dhe si një zgjidhje kundër temperaturave të larta. Por në realitet, ato janë krijuar më shumë për interesat e sponsorëve sesa për nevojat e futbollistëve”, deklaroi Klopp.
Kritikat e tij janë mbështetur edhe nga trajneri i kombëtares së Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino, i cili pas ndeshjes së parë të ekipit të tij vuri në dyshim nevojën e këtyre ndërprerjeve kur kushtet atmosferike nuk paraqesin rrezik për lojtarët.
Sipas analistëve dhe vëzhguesve të futbollit, çdo pushim hidratimi krijon një hapësirë televizive prej rreth tre minutash, e cila mund të shfrytëzohet për reklama dhe aktivitete promocionale, duke shtuar dyshimet se motivet ekonomike kanë peshë më të madhe sesa aspekti sportiv.









