Kapiteni i Skocisë, Andy Robertson, e ka cilësuar përballjen me Brazilin në Kupën e Botës 2026 si një ëndërr të realizuar, teksa përgatitet të udhëheqë vendin e tij në rikthimin historik në skenën më të madhe të futbollit pas 28 vitesh mungesë.
Mbrojtësi skocez, i cili ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme nga futbolli gjysmëprofesionist deri në majat e futbollit evropian, pranoi se pjesëmarrja në një Botëror përfaqëson kulmin e rrugëtimit të tij sportiv.
“Kur arrin në momente të tilla, është e rëndësishme të kujtosh se nga ke ardhur dhe sa shumë ke punuar për të mbërritur këtu. Ka pasur shumë sakrifica dhe punë të vështirë, por çdo minutë ia ka vlejtur”, tha Robertson për FIFA-n.
Futbollisti i lindur në Glasgow kujtoi edhe një nga momentet më të vështira të karrierës së tij, kur në moshën 15-vjeçare u largua nga akademia e Celtic FC, pasi konsiderohej fizikisht i papërshtatshëm për futbollin profesionist.
“Refuzimi ishte i dhimbshëm, por më ndihmoi të bëhem më i fortë. Në futboll gjithmonë do të përballesh me pengesa dhe rëndësi ka mënyra se si reagon ndaj tyre”, theksoi ai.
Skocia do të nisë aventurën në Botërorin 2026 kundër Haitit, ndërsa në Grupin C do të përballet edhe me Marokun dhe Brazilin. Përballja me pesë herë kampionët e botës konsiderohet si sfida më e madhe e grupit, por Robertson beson se skuadra e tij duhet të shkruajë historinë e vet.
“Ne respektojmë historinë e futbollit skocez dhe brezat që kanë ardhur para nesh, por duam të krijojmë historinë tonë. Rezultatet e së kaluarës ndaj Brazilit nuk do të kenë ndikim në këtë ndeshje. E dimë sa e vështirë do të jetë, por të luash kundër Brazilit është një ëndërr për çdo lojtar”, deklaroi ai.
Kapiteni skocez shtoi se objektivi kryesor i ekipit është të kalojë për herë të parë fazën e grupeve në një Kupë Bote.
“Është një synim realist për ne. Kemi një grup të fortë, por besojmë te cilësitë tona. Nëse arrijmë të kalojmë grupin, do të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e futbollit skocez”, përfundoi Robertson.
Skocia siguroi kualifikimin për Botërorin 2026 pas një fitoreje dramatike ndaj Danimarkës, ndërsa tani synon të shfrytëzojë momentin për të realizuar një tjetër arritje historike në skenën botërore.









