SPAK godet “perandorinë” e kokainës – 20 masa sigurie për grupin e Artur Shehut dhe Koçekëve

Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka goditur një nga grupet më të mëdha të dyshuara për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash në Shqipëri.

Me urdhër të SPAK-ut janë caktuar gjithsej 20 masa sigurie, prej të cilave 15 “arrest me burg” dhe 5 “arrest në shtëpi”, ndaj personave të dyshuar për trafikim kokaine, pastrim të produkteve të veprës penale dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine, përfshirë Kolumbinë, Ekuadorin, Bolivinë, Surinamin, Paraguain, Uruguain, Porto Rikon dhe Brazilin drejt tregjeve evropiane. Fitimet e përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se pastroheshin në Shqipëri përmes investimeve në ndërtim, kulla dhe resorte luksoze, kryesisht në jug të vendit.

Në qendër të hetimeve ndodhet Artur Shehu, i cili po hetohet edhe në dosjen e shumëpërfolur të pronave në Zvërnec. Sipas burimeve hetimore, Shehu nuk është arrestuar pasi prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara.

Në kërkim është shpallur edhe Artur Koçeku, i dyshuar si drejtues i një rrjeti ndërkombëtar trafiku droge së bashku me vëllezërit e tij, me bazë aktiviteti në Dubai.

Mes personave ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie janë edhe Ilir Shtufi, i konsideruar nga hetuesit si një nga njerëzit e afërt të grupit, si dhe biznesmeni Orest Sota, i cili është arrestuar.

Po ashtu, në pranga ka përfunduar edhe Orgert Bircaj, ndërsa ndaj Edmond Jaupi është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Hetimet kanë zbuluar se organizata kriminale dyshohet se kishte krijuar një rrjet të sofistikuar për legalizimin e të ardhurave të drogës përmes sektorit të ndërtimit dhe investimeve turistike. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar pasuri me vlerë të konsiderueshme, përfshirë prona, kompani dhe asete të tjera që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

SPAK dhe Policia e Shtetit vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimin e pasurive të dyshuara si produkt i trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.