Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur sekuestro preventive mbi rreth 128.3 milionë euro në kuadër të hetimeve për çështjen e shumëdebatuar të Zvërnecit.
Vendimi, i marrë më 10 qershor 2026, lidhet me fondet e depozituara në llogarinë bankare të noteres Amela Mukaj, të cilat burojnë nga tre kontrata shitblerjeje tokash në zonën e Zvërnecit dhe që janë pjesë e hetimit të nisur nga SPAK.
Sipas dokumenteve hetimore, bëhet fjalë për shuma që do t’u transferoheshin pronarëve të tokave të përfshirë në transaksionet me shoqërinë “Albanian Land Development” sh.p.k. Për këtë arsye, organi i akuzës ka urdhëruar bllokimin e tyre deri në përfundim të verifikimeve.
Nga vendimi rezulton se janë sekuestruar:
- 110.247.134 euro, që lidhen me kontratën e shitjes së datës 24 prill 2026 mes Artur Shehut dhe shoqërisë “Albanian Land Development”;
- 10.044.684 euro, që lidhen me kontratën mes Ferdinand Sulajt, Burbuqe Sulajt dhe së njëjtës kompani;
- 8.062.619 euro, që burojnë nga një tjetër kontratë shitjeje mes Ferdinand Sulajt, Burbuqe Sulajt dhe “Albanian Land Development”.
Të gjitha fondet ndodheshin në llogarinë bankare të noteres Amela Mukaj dhe tashmë janë bllokuar me vendim gjykate, pas kërkesës së SPAK-ut.
Masa vjen në kuadër të hetimeve për dosjen e Zvërnecit, një çështje që ka shkaktuar debat të gjerë publik dhe politik për shkak të transaksioneve të mëdha financiare dhe projekteve të zhvillimit të planifikuara në zonën bregdetare të mbrojtur.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK synon të verifikojë ligjshmërinë e procedurave të ndjekura, burimin e fondeve dhe rrethanat e plota të këtyre transaksioneve me vlerë rekord.









