Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është zhvilluar këtë të premte ndaj një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas informacioneve paraprake, hetimet kanë çuar në lëshimin e masave të sigurisë për disa persona, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e një rrjeti kriminal që operonte brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine dhe duke investuar fitimet e paligjshme në aktivitete të ndryshme ekonomike.
Në listën e personave të përfshirë në hetim bëjnë pjesë Artur Shehu, Ilir Shtufi, Orest Sota, Orgert Bircaj, Edmond Jaupi, Artur Koceku, Abedin Koceku, Erion Rama, Adi Rama, Dritan Aga, Baftri Troci dhe Gëzim Islami.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se autoritetet po verifikojnë lëvizje të dyshimta financiare dhe lidhje të mundshme me rrjete ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve. Dyshohet se organizata kriminale ka qarkulluar miliona euro të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm, të cilat më pas janë pastruar përmes bizneseve dhe investimeve të ndryshme.
Operacioni vijon ende në disa qytete të vendit, ndërsa pritet që SPAK të japë detaje të tjera lidhur me akuzat, rolin e secilit prej të dyshuarve dhe rezultatet e veprimeve hetimore.









