Aktori i njohur shqiptar Kastriot Çaushi ka bërë një deklaratë me nota humori gjatë emisionit “Kampionët e Botës” në TV Klan, teksa foli për kombëtaren që do të mbështesë në Kupën e Botës 2026.
Duke iu referuar mungesës së Italisë në këtë Botëror, skuadrës për të cilën ka bërë tradicionalisht tifozllëk, Çaushi tha se ndihet si një i divorcuar prej vitesh dhe tashmë është në kërkim të një “dashurie të re” futbollistike.
“Vij me statusin e të divorcuarit. Jam i divorcuar prej 12 vitesh. Kam shumë shpresë që të gjej një të dashur të re në këtë Botëror. Francezët nuk janë keq. Italinë nuk e harroj asnjëherë”, u shpreh ai.
Aktori la të kuptohet se në mungesë të Italisë, mbështetja e tij do të shkojë për Franca, një nga favoritët për fitimin e trofeut.
Ndërkohë, komentatori sportiv Alban Xhihani reagoi me humor ndaj deklaratës së Çaushit, duke thënë se aktori tashmë ka zgjedhur “të dashurën e re”, por shtoi se ka një parandjenjë se Franca mund të jetë surpriza negative e këtij Botërori.
Sipas Xhihanit, pavarësisht potencialit dhe emrave të mëdhenj në përbërje, skuadra franceze mund të mos përmbushë pritshmëritë e larta që e shoqërojnë në turne.









