Mediat iraniane: Teherani pranë miratimit të marrëveshjes me SHBA-në, pasi Uashingtoni pranoi propozimin

Mundësia për arritjen e një marrëveshjeje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është rritur ndjeshëm, pasi Uashingtoni ka pranuar tekstin e propozuar nga Teherani, raportojnë mediat iraniane. Sipas agjencisë së lajmeve Fars, gjasat që dokumenti të marrë miratimin përfundimtar nga autoritetet më të larta të Republikës Islamike konsiderohen tashmë relativisht të larta.

“Duke qenë se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar tekstin e propozuar nga Irani, probabiliteti që marrëveshja të miratohet nga institucionet më të larta vendimmarrëse të Teheranit është i konsiderueshëm”, shkruan agjencia iraniane.

Zhvillimi vjen vetëm pak orë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se kishte anuluar sulmet ushtarake të planifikuara ndaj Iranit për mbrëmjen e së enjtes, duke sinjalizuar një kthesë të rëndësishme në përpjekjet diplomatike mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se diskutimet kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe se pikat kryesore të marrëveshjes janë miratuar në parim nga të gjitha palët e përfshira.

Sipas tij, në proces janë përfshirë jo vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Irani, por edhe një sërë aktorësh rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Turqinë, Pakistanin, Bahreinin, Kuvajtin, Jordaninë dhe Egjiptin.

Trump bëri të ditur gjithashtu se bllokada detare do të mbetet në fuqi deri në finalizimin e plotë të marrëveshjes, ndërsa vendi dhe data e nënshkrimit pritet të shpallen së shpejti.

Megjithatë, situata në rajon mbetet e tensionuar. Forcat amerikane kanë kryer për të dytën ditë radhazi sulme ndaj objektivave në Iran, pas incidentit me rrëzimin e një helikopteri amerikan Apache mbi Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit pretendon se ka goditur 18 objektiva ushtarake amerikane në disa vende të Gjirit Persik dhe Lindjes së Mesme, përfshirë bazat ajrore Ali Al Salem dhe Ahmad Al Jaber në Kuvajt, bazën Sheikh Isa në Bahrein, si dhe objekte ushtarake në Jordani.

Përshkallëzimi i fundit ka rritur shqetësimet për sigurinë rajonale, veçanërisht pas njoftimit të Teheranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit.