Janë bërë publike detaje të reja nga dosja hetimore e ngjarjes së rëndë të 4 qershorit në Malin e Bodesë, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Korçës, Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Të dhënat e hetimit hedhin dritë mbi dinamikën e përplasjes së armatosur dhe rrëzojnë pretendimin e bërë nga nëna e autorit të dyshuar, Violand Braçellari, sipas së cilës djali i saj kishte qëlluar vetëm pasi policia kishte hapur zjarr.
Sipas dokumenteve hetimore, operacioni policor u organizua pas kallëzimit të një 32-vjeçari me inicialet A.K., i cili punonte si bari në bagëtitë e Braçellarit. Ai kishte denoncuar se ishte dhunuar dhe kërcënuar me armë automatike nga ky i fundit, duke informuar policinë se Braçellari fshihej pranë stallave të bagëtive dhe ishte i armatosur.
Në mëngjesin e 4 qershorit, rreth orës 07:00, forcat e Policisë së Korçës ndërmorën operacionin për kapjen e tij. Sipas dosjes, sapo efektivët iu afruan zonës dhe po kryenin rrethimin e objekteve, Braçellari hapi zjarr ndaj tyre.
Nga të shtënat e para mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij Edison Adri. Më pas autori tentoi të largohej me vrap nga zona, por u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë dhe u neutralizua pak metra larg stallave.
Hetuesit kanë dokumentuar se pranë vendit ku u kap Braçellari u gjet një armë automatike model 56, kalibër 7.62 mm, e boshatisur plotësisht nga fishekët. Arma kishte levën në pozicion qitjeje dhe mbante gjurmë të dyshuara gjaku, ndërsa në zonë u sekuestruan edhe gëzhoja të shumta që dyshohet se janë shkrepur prej saj.
Një nga elementët më domethënës të dosjes lidhet me armën e efektivit të vrarë. Sipas ekspertizës, kallashnikovi i Enea Mekollit kishte ende 29 fishekë në karikator dhe një fishek në folenë e armës, çka tregon se polici nuk kishte arritur të qëllonte asnjë herë para se të goditej për vdekje.
Trupi i Mekollit u gjet rreth tetë metra larg murit të një prej stallave, me plagë të shumta në kokë, qafë, vesh, gjoks dhe këmbë. Ai ishte i pajisur me uniformë dhe jelek antiplumb, por hetimet tregojnë se jeleku kishte pësuar dëmtime në pjesën e gjoksit dhe në rripat e shpatullave nga goditjet e plumbave.
Dosja sqaron gjithashtu debatin publik mbi pajisjen e efektivëve me mjete mbrojtëse. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar pesë jelekë antiplumb, të përlyer me gjak dhe baltë, si dhe pesë armë zjarri të përdorura nga efektivët që morën pjesë në operacion.
Gjatë këqyrjes së zonës, grupi hetimor ka sekuestruar dhjetëra gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe 9 mm, njolla gjaku, pjesë predhash, radio policie dhe pajisje të tjera që do t’i nënshtrohen ekspertizave balistike dhe biologjike.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi trajektoret e plumbave, pozicionet e personave të përfshirë dhe të gjithë zinxhirin e ngjarjeve që çuan në vrasjen e efektivit Enea Mekolli, një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur Policinë e Shtetit gjatë këtij viti.









