Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan ka miratuar këtë të enjte kandidaturën e Eric Wendt për postin e ambasadorit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, duke e afruar atë një hap më pranë konfirmimit përfundimtar.
Kandidatura e propozuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara mori mbështetje të gjerë në komision, duke u miratuar me 19 vota pro dhe 3 kundër. Votimi u mbështet nga senatorë të të dyja partive kryesore amerikane, çka konsiderohet një sinjal pozitiv për fazën e ardhshme të procesit.
Pas miratimit në komision, emri i Wendt do t’i kalojë për shqyrtim dhe votim seancës plenare të Senati i Shteteve të Bashkuara, e cila do të marrë vendimin përfundimtar mbi emërimin e tij.
Nëse kandidatura merr miratimin e Senatit, Eric Wendt do të marrë detyrën e ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, duke përfaqësuar diplomacinë amerikane në Tiranë dhe duke vijuar bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme strategjike, politike dhe të sigurisë.
Procesi i konfirmimit të ambasadorëve amerikanë kërkon miratimin e Senatit, pasi kandidaturat propozohen nga Presidenti dhe më pas i nënshtrohen shqyrtimit parlamentar përpara se të marrin detyrën zyrtarisht.









