Biznesmeni Artur Shehu ka reaguar publikisht për çështjen e pronave në Zvërnec, duke dhënë versionin e tij në një intervistë për emisionin “Opinion”, mes debatit të fortë që ka shoqëruar projektin e investimit në këtë zonë.
Shehu deklaroi se është një nga pronarët e tokave në Zvërnec dhe se prona që zotëron familja e tij është e trashëguar ndër breza dhe e dokumentuar ligjërisht.
“Unë jam një nga pronarët e tokës në Zvërnec. Rreth 460 hektarë janë të fisit tonë dhe për afërsisht 253 hektarë kemi certifikata pronësie. Prona jonë është e padiskutueshme. Është pronë e vjetër, jo e blerë”, u shpreh ai.
Lidhur me hetimet e SPAK-ut dhe bllokimin e shitjes së tokës te investitorët, Shehu tha se nuk ka asnjë shqetësim dhe se organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre.
“SPAK-u ka punën e vet. Le ta verifikojë. Unë do të paraqes të gjitha dokumentet dhe le t’i shqyrtojë. Nuk kam asnjë problem me hetimin”, deklaroi biznesmeni.
Ai mohoi gjithashtu çdo pretendim për takime me ministra, kryeministra apo persona të tjerë të lidhur me projektin, duke i cilësuar këto aludime si të pavërteta.
“Takim në Aruba? Absolutisht jo. Kjo nuk ka lidhje as me ministra dhe as me kryeministra. Janë lajme të rreme”, tha Shehu.
Biznesmeni shtoi se jeton prej 29 vitesh në Shtetet e Bashkuara dhe se ka status azilanti politik, ndërsa theksoi se investitorët nuk i njeh personalisht dhe se kontaktet janë kryer përmes ndërmjetësve.
Në fund të intervistës, ai rezervoi fjalë vlerësimi për dy figura të njohura të politikës së re shqiptare, Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj.
“Më pëlqen paneli që keni sot aty, sidomos Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj, që janë vlonjatë. Ju kam shumë xhan”, u shpreh Shehu.









