Gjermania sfidon BE/ Refuzohet heqja e kontrolleve kufitare – Berlini këmbëngul se masat po japin rezultat

Gjermania ka refuzuar kërkesën e Bashkimit Evropian për heqjen graduale të kontrolleve në kufijtë e brendshëm, duke argumentuar se këto masa mbeten të domosdoshme për frenimin e emigracionit të paligjshëm dhe luftën kundër rrjeteve të trafikimit të emigrantëve.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luxembourg se kontrollet kufitare kanë dhënë rezultate konkrete dhe do të vijojnë të mbeten në fuqi. Sipas tij, rritja e numrit të kthimeve mbrapsht, ulja e emigracionit të paligjshëm dhe goditja e rrjeteve kriminale dëshmojnë efektivitetin e këtyre masave.

Dobrindt theksoi se Berlini mbetet i hapur për diskutime me partnerët evropianë, por nuk sheh arsye për të hequr dorë nga një instrument që, sipas autoriteteve gjermane, po funksionon.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian argumenton se kontrollet në kufijtë e brendshëm nuk janë më të nevojshme, duke përmendur reformat e fundit të politikave migratore, forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm dhe mekanizmat e rinj për kthimin e emigrantëve të parregullt.

Aktualisht, dhjetë vende evropiane vazhdojnë të zbatojnë kontrolle në kufijtë e tyre të brendshëm. Komisioni Evropian u ka kërkuar Austria, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Sllovenia dhe Suedia që t’i reduktojnë gradualisht këto masa, ndërsa një kërkesë e ngjashme i është drejtuar edhe Norvegjia.

Ndërkohë, komisioneri evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se flukset e emigracionit të parregullt janë në rënie dhe se kushtet janë krijuar për rikthimin gradual të lëvizjes pa kontrolle në hapësirën Schengen.

Debati vjen në një moment kur Bashkimi Evropian ka miratuar një sërë masash të reja për emigracionin. Ndër më të rëndësishmet është “Rregullorja e Kthimit”, e cila synon përshpejtimin e deportimeve të emigrantëve pa të drejtë qëndrimi dhe u jep vendeve anëtare mundësinë të krijojnë qendra pritjeje dhe kthimi jashtë territorit të BE-së përmes marrëveshjeve me vende të treta.

Sipas të dhënave zyrtare të BE-së, aktualisht vetëm rreth 29 për qind e emigrantëve që marrin urdhër largimi nga territori evropian largohen realisht, çka ka shtyrë Brukselin të ashpërsojë politikat migratore.