Familja e Enea Mekollit refuzon Varrezat e Dëshmorëve – Efektivi do të prehet pranë vëllait të ndjerë

Efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë operacionit policor në zonën e Bodenit, në Maliq, do të përcillet për në banesën e fundit në vendlindjen e tij, pas një vendimi të marrë nga familjarët.

Megjithëse procedurat për shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut” kanë nisur dhe ky status parashikon varrimin në Varrezat e Dëshmorëve, familja ka kërkuar që ceremonia mortore dhe varrimi të zhvillohen në fshatin e lindjes, Blacë.

Sipas familjarëve, vendimi lidhet me një histori të dhimbshme familjare. Ata kanë humbur më herët edhe një djalë tjetër, gjithashtu efektiv policie, i cili ndërroi jetë pas një beteje me leuceminë. Dëshira e familjes është që dy vëllezërit të prehen pranë njëri-tjetrit në vendlindjen e tyre.

Homazhet në nderim të Enea Mekollit do të zhvillohen ditën e premte, nga ora 10:00 deri në 12:00, në Pallati i Kulturës, ku pritet të marrin pjesë familjarë, kolegë, drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë.

Më pas, në orën 14:00, ceremonia e varrimit do të zhvillohet në fshatin Blacë, ku efektivi i rënë në krye të detyrës do të prehet përgjithmonë pranë familjes së tij.

34-vjeçari humbi jetën gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari në zonën e Lozhanit, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka sjellë reagime të shumta nga autoritetet shtetërore dhe qytetarët në mbarë vendin.